Partizanin e qetësojnë rikthimet, Lerda llogarit edhe brazilianin ndaj skuadrës më në formë

Partizani pret ditën e nesërme skuadrën e Bylisit në stadiumin “Selman Stërmasi”, aty ku do të tentojë të lërë pas humbjen që ka pësuar pak ditë më parë kundër Laçit. Trajneri Lerda mund të ndihet më i qetë për vetë faktin se ka rikthime në fushë dhe do të luajë me më të mirët ndaj Bylisit.

Një rikthim i rëndësishëm është ai i mesfushorit brazilian Uilliam Kordeiro i cili ndaj Laçit nuk ishte i grumbulluar. Një dëmtim në stërvitje ka bërë që Kordeiro të mungojë dhe duket se problemet me rrëzët e kofshës tashmë i kanë kaluar.

Ai është stërvitur rregullisht me grupin dhe pritet ta nisë nga minuta e parë kundër Bylisit. Lerda nuk preferon më të eksperimentojë në formacion duke tentuar të marrë më të mirën nga kjo ndeshje, por njëkohësisht duke shpresuar të mos ketë dëmtime pasi një javë më vonë luan kundër Tiranës në derbi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/