Një ndeshje ndaj Junajtid i mbylli karrierën, babai i Haland: Dua ta shoh me fanellën e tyre (VIDEO)

Mbrëmja e parë e Ligës së Kampionëve solli jo pak rezultate surprizë dhe futbollisti që spikati më shumë ishte padyshim talenti Erling Haland. Sulmuesi i Salcburgut arriti të shënonte një tregolësh në pjesën e parë të ndeshjes, duke dhënë një sinjal se është një sulmues me të ardhme pasi është vetëm 19 vjeç.

Haland ka edhe një lidhje me Mançester Junajtidin sepse trajner është Solskjaer. Legjenda e Junajtidit e zbuloi te Molde dhe e kishte pjesë të rëndësishme të formacionit. Ndërkohë, vetë babai i Haland, Alf-Inge nuk ka kujtime të bukura me “djajtë e kuq” sepse një ndeshje derbi në kohën kur aktivizohej me Sitin, i mbylli karrierën.

Alf-Inge mori një ndërhyrje të ashpër nga Roi Kin dhe u detyruar t’i nënshtrohej një operacioni në gju duke e detyruar të qëndronte për një vit larg fushave. Pas operacionit, ai provoi të rikthehej në fushë por e kishte të pamundur duke u tërhequr nga futbolli para kohe. Kjo pat bërë që Alf-Inge të shprehej se do ta urrente Junajtidin gjithmonë, por tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe shpreson që ta shohë djalin e tij me këtë skuadër.

“Do të ishte diçka e bukur ta shihja Erling me Junajtidin. Është një ndryshim i madh mes punës dhe tifozit, kështu që jam i qetë nga kjo anë. Mendoj se shumë futbollistë ëndërrojnë të luajë në Premier Ligë, pasi është liga me klubet më kualitative dhe që ka vëmendjen më të madhe. Nuk ka dyshime që Premier Liga e tërheq shumë”, tha Alf-Inge. /Erjon Allaraj-VipSport.al/