Ngatërroi Shqipërinë me Armeninë, spikeri: Nuk më pritën me pushkë, nuk fjeta 2 net por kisha mbështetje

Pak ditë më parë, Shqipëria u përball me një situatë të pazakontë duke qenë se në Francë, u vu himni i Andorrës në vend që të vihej ai i Shqipërisë. Sikur të mos mjaftonte kjo, spikeri i stadiumit u shpreh se gjithçka u rregullua dhe i kërkoi falje armenëve, duke shtuar se tani do të niste himni i Armenisë.

Pak me vonesë, megjithatë spikeri e korrigjoi dhe kërkoi sërish falje duke thënë se do të niste himni i Shqipërisë pasi ka bërë një tjetër gabim. Në një intervistë të dhënë për mediat franceze, spikeri Maks shprehet se as ai vetë nuk e di se çfarë dhe si ndodhi, duke shtuar se gjithçka ishte e momentit, ndërkohë që i trembej reagimeve.

“Bëra një gabim shumë të madh. Federata më shpjegoi gabimin që ishte bërë me himnin dhe më duhej ta menaxhoja këtë situatë pranë fushës. Kisha me miliarda informacione dhe duhet të informoja 80 mijë tifozët që po prisnin. Nuk e dëgjoja veten time se çfarë po thosha dhe më pas, ishte dikush tjetër që më tregoi. Truri im u bllokua, u përballa me një situatë shumë të veçantë.

Nuk bëhet fjalë për një detaj por për një situatë që nuk duhet të kishte ndodhur. Edhe pse kisha mbështetje nga të gjithë, ndihesha i tmerrshëm sepse e kam bërë këtë punë për 35 vite mes TV dhe Radios por kurrë nuk kam bërë diçka të tillë.

Mezi po e prisja ndeshjen me Andorrën. Të gjithë mendojnë se kisha frikë, por në fakt kisha 2 net pa gjumë dhe mezi po prisja të rikthehesha për të folur dhe për të rregulluar gjithçka. Askush nga Federata nuk më priti me pushkë dhe nuk kishte dyshime. Siç thonë futbollistët që përgjigja më e mirë jepet në fushë, edhe unë e bëra atë gjë. Tani, në mendjen time do të jenë kujtimet e ndeshjes së fundit dhe të parafundit”, tregon spikeri i stadiumit, i njohur thjesht si Maks. /Erjon Allaraj-VipSport.al/