Nëntë nga afrimet nuk kanë debutuar, Skënderbeu gati të huazojë te fqinjët

Trajneri Ilir Daja pas ndeshjeve apo dhe në fillim të sezonit është ankuar për mungesë të organikës, por afrimet e fundit, jo vetëm që forcojnë korçarët në formacion, por shtojnë konkurrencën edhe në stolin e rezervave.

Vlen të theksohet se 9 lojtarë që janë afruar te Skënderbeu në merkaton e verës nuk kanë debutuar ende me fanellën bardhekuqe në këto tri javë kampionat.

Bëhet fjalë për lojtarë si: Marlind Nuriu, Rei Nuriu, Emanuel Kofi Esien, Malsor Ajeti, Zhan Ndeki (në huazim nga Fortuna Dyseldorf), Arbnor Muja, George Tampas, Agon Elezi dhe Faton Xhemaili.

Mes emrave të mësipërm disa janë lojtarë të talentuar, pasi Marlind e Rei Nuriu janë grumbulluar më parë edhe nga Shpresa U-21, ndërsa Muja aktualisht është grumbulluar me U-21 të Kosovës. Pritet shumë edhe prej lojtarëve me ngjyrë. Trajneri daja tashmë ka një ide më të qartë rreth skuadrës që ka në dispozicion.

Pritet që pas testit me Devollin, të zhvilluar të shtunën e kaluar, ku skuadra e tij u mund 3-2 në Korçë, Daja të bëjë edhe disa “skarcime”, apo huazime në skuadrat fqinje që kanë trokitur te korçarët ditët e fundit dhe kërkojnë ata lojtarë të cilët për momentin nuk janë në planet e trajnerit Daja për t’i besuar një vend te Skënderbeu për të përballuar garën në Superiore, duke ditur edhe synimet që kanë korçarët këtë sezon.

E.S./Vipsport.al/