Në disko i maskuar, Kristiano Ronaldo zbulon një nga netët më të lumtura në Madrid

Intervista e gjatë e Kristiano Ronaldos në Angli vazhdon të zbulojë anën e fshehtë të portugezit dhe pjesë interesante nga jeta e tij e përditshme. Kështu, ai ka treguar për shembull se sa shumë e vuan mungesën e privatësisë dhe se si një nga momentet më të lumtura të jetës së tij në Madrid, ishte kur përfundoi në një diskotekë i maskuar që të mos e njihnin të tjerët.

“Nuk mund të dal në vende publike, nuk kam më privatësi. Por në vitin 2009, në festën e Vitit të Ri, i thashë mikut tim Riki se dëshiroja të dilnim. Ishte festa dhe nuk mund të qëndronim në shtëpi. Blemë maskime dhe shkuam në diskotekë të veshur si yje të muzikës rock në qendër të Madridit. Të gjithë na shihnin çuditshëm, thoshin “nga dolën këta”.

Vendosëm që do të flitnim vetëm në gjuhën angleze. Por në një moment, fola në gjuhën portugeze me Rikin. “Çfarë dëshiron të pish”, ishte hera e vetme në të gjithë natën që folëm në gjuhën portugeze dhe një djalë që ishte pas meje, m’u afrua dhe më tha: Kristiano, e di që je ti.

Mendova se ishte e pamundur, nuk reagova dhe e ndjeva veten keq e të nervozuar. Gjatë natës, ky djalosh i tha të gjithëve në diskotekë: Shihni, ai atje është Kristiano. Unë meqë jam i gjatë, e shihja që e gjithë diskoteka filloi të na vëzhgonte. Qëndruam atje tre orë, ishte një nga netët më të bukura të jetës time”, tregoi Ronaldo. /vipsport.al/