Muça: Lerda do vazhdojë me këtë sistem, por është problem për Asanin, Bardhin apo Çinarin

Kampionati shqiptar ka nisur me probleme si situata e klubeve që janë pjesë e tij. Ky është mendimi i Shkëlqim Muçës. Ish-futbollisti e trajneri i njohur, në studion e “Rubrika Sportive”, komentoi ngjarjet e kësaj jave.

“Kampionati nuk ka filluar mirë, nuk janë ekipet në gjendje të mirë fizike. I ka gjetur të paorganizuara, më shumë ecin, nuk ka ritëm, agresivitet, atë që kërkon futbolli i kohës. Skuadrat që kanë marrë pjesë në Europë luajnë më shpejt, të tjerat janë mbrapa, është sëmundja e hershme, i planifikojmë shumë vonë, na ikin ditët e javët dhe e kemi të vështirë të kapim ritmin”, tha ai.

Për Vllaznia-Tirana
Në fillimin e ndeshjes u krijua ideja e mirë për kthimin e njerëzve në stadium, se kemi parë stadiume bosh. Por pastaj degjeneroi me aktet e mëvonshme. Si lojë mund të them se loja deri diku ishte e barabartë, pavarësisht cilësisë që duket se ka më shumë Tirana. Vllaznia me grintë u mundua ta ekuilibronte lojën, humbi përqendrimin duke u marrë me arbitrin, tifozët. Edhe trajneri u mor me arbitrin në vend të qetësonte ekipin. Kur edhe stafi krijoi nervozizëm, humbi përqendrimin, pësoi 2 gola por mund të pësonte 3 a 4. Na la shije të keqe në një stadium ku kemi parë qytetari, pavarësisht se arbitri nuk ishte në lartësinë e duhur, pashë një lloj acarimi, ndoshta edhe se Vllaznia nuk ka qenë një vit dhe nuk janë mësuar ende me këto rezultate.

Është problem shumë i madh se jemi kthyer 20 vite prapa, kur në vitet 2000 kishte raste të tilla dhune, është fatkeqësi, se tani kemi stadiume shumë të mira e duhej të kishim ndeshje më të mira. Ne na mungon organizimi i ndeshjeve, klubet kanë shumë vështirësi, kanë mangësi, ndeshjet nuk organizohen mirë, shishet tregojnë se nuk ka organizim e kontroll. Çdo ndeshje është minë me sahat, mund të ndodhë çdo gjë, do të doja të flisnim më shumë për futboll. Por në përgjithësi mund të them se Tirana është me e kompletuar dhe ka cilësi, pashë të rinj të talentuar që mund të krijojnë kompleks të mirë. Kurse Vllaznia duhet të rritë nivelin e lojës”.

Për paraqitjen e Kukësit ndaj Laçit
“I mungon grinta, inati, i shoh lojtarët jo të lidhur me njëri-tjetrin, kjo vjen nga fakti që luan jashtë fushe është si në gjumë gjithmonë. Ka shumë cilësi dhe mendoj që me kalimin e javëve mund të bëhet ekip më i mirë, duke futur ritmin, inatin, se me ardhjen edhe të Abazajt ka ekipe të kompletuar. Laçi ishte ekip i organizuara sot, Starova e kishte kuptuar se hapej me Kukësin ishte aventurë. Ka luajtur i disiplinuar, e goditi në kundërsulm dhe ia arriti të merrte rezultat. Starova e ka ekipin e formatuar mirë dhe të kontrolluar gjatë lojës. Kukësit i mungon inati, është një skuadër që e fut në fushë dhe është shumë e lehtë në skuadër”.

Për ndeshjen e Partizanit

“Partizani dhe trajneri është shumë taktik, është i qartë për skuadrën që do të luajë në fushë, mënyrën e lojës, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo dikujt. Ai ka për bazë që ekipi të jetë gjithmonë i ekuilibruar, pastaj në sulm do të luajë gjithmonë një nga këto me ngjyrë e përkrah i dytë mund të jetë Asani e Bardhi. Me këtë lloj sistemi loje që ka, disa lojtarë që kanë bërë mirë e të talentuar mund të dalin jashtë sistemit, si Çinari apo Bardhi e Mala që është sakrifikuar në një pozicion që nuk është natyral i tij. Kjo është zgjedhja e tij, që të jetë i sigurt mbrapa, i përforcuar në mbrojtje e mesfushë, por nuk ka shumë cilësi në sulm, ndryshe nga ai i vitit të kaluar. Është i disiplinuar taktikisht që është e vështirë ta gjesh në vështirësi, por loja sulmuese me krahët është e vështirë se kanë 100 metra fushë që duhet të punojnë e përballojnë, nuk janë tipikë për atë pozicion, duan lojtarë nga pas. Është një sistem që jam i bindur që ai do të vazhdojë kështu, por është problem për Asanin, Bardhin e Çinarin, se do të dalin jashtë sistemit të lojës, siç ishte Ibrahimi meqë trajneri vendos të luajë me 3. Ndaj për këta lojtarë, sidomos për Çinarin, i cili në fund të kampionatit të kaluar e fillimin aktual ishin në ngritje, ndërsa tani u zhduk fare, më vjen keq”.

/vipsport.al/