Mezani flet si kryesues: Mendojmë për Europën, për titullin flasim në fund

Gentian Mezani e ka sezonin e tij të dytë që drejton skuadrën e Gjilanit në IPKO Superligën e Kosovës. Trajneri vlonjat mori drejtimin e “skifterave” në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar, ndërsa eksperiencat nuk i kanë munguar që nga Flamurtari, Laçi, Luftëtari, pa thënë se shumë vite të karrierës si trajner ka punuar me ekipet e moshave.

Ecuria

Në një prononcim që ka dhënë për “SuperSport”, pas pesë ndeshjeve, ku ka marrë 4 fitore radhazi dhe një humbje në start, trajneri vlonjat i gjilanasve ka pohuar: “Nuk po e shohim renditjen, po merremi me ndeshjet tona, sepse kjo është filozofia ime. Të marrim ndeshjet një nga një, pasi që secila ndeshje dallon nga ndeshjet tjera. Ndaj Ballkanit nuk bëmë një lojë të bukur, por luajtëm për të fituar. Pa dyshim kjo ishte ndeshja më e vështirë deri më tani dhe kemi marrë të gjitha masat që mos të gabojmë, sidomos të mbulojmë mirë repartin e tyre sulmues, që ka shumë cilësi. Kemi fituar një ndeshje të vështirë dhe unë jam i kënaqur për këtë gjë”, – deklaroi Mezani për një intervistë në “SuperSport”.

Synimet

Ndër të tjera, Mezani foli edhe për të ardhmen e skuadrës dhe synimet sezonale që ajo ka: “Është shumë normale që tifozët, drejtuesit e klubit, por edhe stafi teknik të presë diçka më tepër nga ky edicion. Madje edhe vetë futbollistët janë të vetëdijshëm për investimet që janë bërë këtu. Por, primare kemi daljen në Europë dhe më pas mbetet të shihet”.

E.S./Vipsport.al/