Merkato nuk mbyllet kurrë, Guardiola urdhëron transferimin e mbrojtësit të Interit në janar

Edhe pse afati i merkatos së kësaj vere është mbyllur prej një jave, drejtuesit e klubeve por dhe trajnerët vazhdojnë të mendojnë pjesët se ku mund ta përmirësojnë situatën. Rasti i fundit është ai i Pep Guardiolës. Tekniku spanjoll duket se është kthyer në një kërcënim për Interin, pasi ka urdhëruar drejtuesit e klubit t’i vejnë në dispozicion prej muajit janar mbrojtësin Milan Skriniar.

Tekniku spanjoll ka vuajtur jo pak anën defensive të skuadrës së tij, teksa pavarësisht milionave të shpenzuara sërish prapavija nuk ka siguri. Aq më tepër kur disa prej tyre si Laporte, Stons apo edhe Otamendi kanë probleme me dëmtimet. Kështu, Guardiola kërkon në janar 24-vjeçarin e zikaltërve, teksa e sheh si një lojtar me potencial për Sitin dhe objektivat që anglezët kanë në Europë.

Në anën tjetër, Konte dhe drejtori Marota do të mundohen ta mbyllin me çdo kusht këtë tratativë ende pa nisur mirë, pasi Skriniar cilësohet i paprekshëm. Megjithatë, duhet pasur kujdes pasi numërohen shumë pak raste kur drejtuesit e ‘qytetarëve’ nuk kanë përmbushur dëshirat e Guardiolës, pavarësisht çmimit të paguar.

/Egi Çabeli-VipSport.al/