Merkato e Tiranës/ Bardheblutë ndryshuan lëkurë gjatë verës, goditje për titullin kampion

Në sezonin e kaluar, Tirana mbylli kampionatin e radhës si një dështim. Bardheblutë e diskutuan deri në javën e fundit mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar, duke rrezikuar jo pak përsëritjen e historisë së dy viteve më parë. Mirëpo, gjatë verës, trajneri Ardian Mema mori në dorë merkaton e 24-herë kampionëve të Shqipërisë me objektivin e vetëm që këtë sezon të rikthehen në majat e futbollit dhe të synojnë titullin kampion, duke qenë se ky vit është special dhe përkon me 100-vjetorin e klubit.

Kështu, nga skuadra e sezonit të kaluar janë larguar shumë elementë duke përmendur emra si: Turtulli, Maveje, Atinga, Oduamadi, Greca, Sentamu, Daja , Cake etj… Ndërkohë, afrimet ishin nga ato të bujshmet, emra të cilët ofrojnë cilësi, garanci dhe që Kategorinë Superiore e njohin në detaje. Mjafton të përmendësh Tefik Osmanin, Kristi Vangjelin, Idriz Bathën, Elton Kale, Agustin Torasa e Andi Lila.

Fillimi i kampionatit premton shumë, teksa në tre javë skuadra ka grumbulluar 7 pikë (2 fitore dhe 1 barazim) duke mbajtur momentalisht vendin e parë në renditje. Megjithatë, është shumë shpejtë për të dalë në konkluzione, por bardheblutë i kanë dhënë sinjalet se janë rikthyer në identitet dhe do të jenë aty për të luftuar për kreun e tabelës. /Egi Çabeli-VipSport.al/

Të afrur: Elton Kale, Agustin Torasa, Idriz Batha, Ismael Dunga, Edvan Bakaj, Pano Qirko, Tefik Osmani, Kristi Vangjeli, Andi Lila, Mario Beshiraj, Eldis Kraja.
Të larguar: Vinsent Atinga, Toni Maveje, Namdi Oduamadi, Junus Sentamu, Gideon Ofori, Bedri Greca, Marvin Turtulli, Alesio Abibi, Rei Qilimi, Klinsman Cake, Jurgen Goxhaj, Asion Daja.