Mbrojtësi i Shpresave U-21 në huazim dhe një ganez mbyllin merkaton e Apolonisë

Apolonia nuk ndalet dhe ka zyrtarizuar edhe dy afrime cilësore në 24 orët e fundit. Në Fier kanë mbërritur 2 lojtarë cilësorë dhe që pritet t’i bëjnë mjaft punë skuadrës së trajnerit Artan Mërgjyshi. Mbrojtësi i majtë, Irlian Çeka, ka marrë OK-in e trajnerit Mërgjyshi për të qenë pjesë e Apolonisë për këtë kampionat. 21-vjeçari, i cili vjet ishte pjesë e Laçit, vjen në formë huazimi tek Apolonia.

Çeka është formuar si futbollist në akademinë e Romës e pastaj ka luajtur për moshat e Askolit, Lacios dhe Sambenedetezes, përpara se të nënshkruante sezonin e kaluar me kurbinasit. Gjithashtu, ka qenë edhe pjesë e formacionit të Shqipërisë U-21.

Me ardhjen e tij dhe të ganezit Benet Ofori Ansu, rriten disi alternativat në prapavijë, reparti më problematik për fierakët. Duket se këto do të jenë edhe prurjet e fundit tek Apolonia, pavarësisht se pretendohej për të huazuar edhe një sulmues dhe një mbrojtës tjetër, por që nuk është arritur dakordësia me klubet përkatëse.

E.S./Vipsport.al/