Luftëtari luan miqësore ndërkombëtare, ka kundërshtarë dy titullarët e vjetshëm

Nisje më të keq se kjo e këtij sezoni nuk ishte menduar në Gjirokastër. Një vit më parë, bluzinjtë pësonin 4 humbje, por kishin një kontigjent lojtarësh që jepnin shpresë, e madje edhe gjysmën e skuadrës që kishte shkuar në Europë.

Por, këtë vit organizimi ka nisur më vonë, e jo vetëm kaq, por janë afruar shumë lojtarë e madje janë federuar edhe disa të tjerë në minutat e fundit të merkatos.

Por, drejtuesit bluzi tashmë kanë nisur që të mendojnë për miqësore dhe kjo periudhë ndërprerje prej dy javësh për shkak të ndeshjeve të Kombëtares kuqezi pritet që t’u shërbejë për të konsoliduar grupin.

Kështu, stafi bluzi ka planifikuar që në datën 3 shtator, në orën 18:00 në fushën e Panaçaikit të luhet testi i parë. Me këtë ekip kanë firmosur pak ditë më parë edhe dy nga titullarët e rëndësishëm të skuadrës bluzi të vitit të shkuar dhe bëhet fjalë për Maldin Ymeraj dhe Dimitriss Kotcionis.

Një test tjetër, pritet që bluzinjtë ta luajnë në fundjavë me një nga ekipet e së Parës ose Superiores, por ende nuk e kanë vendosur për kundërshtarin.

E.S./Vipsport.al/