Lila: Më shkuan lot te mesazhi i Bashës, por nuk kam vendosur tërheqjen. Jam investim i FSHF që te U15

Andi Lila nuk ka vendosur ende nëse e ka mbyllur me ekipin kombëtar apo nëse pret që të bëhet përsëri pjesë e tij. Në studion e SuperSport, ai konfirmoi se pavarësisht se ishte emocionuar nga Migjen Basha, që ishte tërhequr nga kuqezinjtë, nuk e kishte vendosur ende personalisht një gjë të tillë.

“Do të doja të isha në lidhje direkte nga stadiumi, por jam drejtpërdrejt në studio. Sa ndeshje me kombëtaren? Me ekipin A kam 70, por janë më shumë po të merren nga U15. Jam investim i FSHF që në atë moshë dhe nga statistikat duhet të jenë rreth 102 ndeshje me të gjitha kombëtaret. Ndjehem krenar se nuk është pak.

Tërheqja nga Kombëtarja? Kur lexova mesazhin e Migjen Bashës që kishte shkruar për tërheqjen, nga natyra jam i fortë, por më shkuan lot se bashkë kemi shkruar historinë. Ky vendim nuk thuhet në një sekondë, nuk jam i vetëm që marr vendimin. Do të ulem të flas me familjarët e miqtë. Është vendim shumë i vështirë. Thonë se futbollistët vdesin dy herë, një herë natyrale dhe pastaj kur lë futbollin. Kemi që 10 vjeç që bëjmë të njëjtin ritual, e ta them që e lashë është e vështirë”, tha Lila. /vipsport.al/