Lëvizje befasuese para fillimit të kampionatit, Kastrioti humbet edhe kapitenin

Kastrioti humbet edhe kapitenin vetëm pak ditë para se të nisë kampionati. Emiljano Çela nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit krutan dhe është lojtar i lirë. Mbrojtësi qendror ishte një nga pikat më të forta e Kastriotit sezonin e shkuar në Superiore dhe u mendua se edhe këtë vit do të jepte një kontribut të rëndësishëm. Gjithsesi nuk do të ndodhë kështu.

Çela nuk ka qenë i pranishëm në dy seancat e fundit stërvitore dhe mësohet se ai nuk ka nënshkruar kontratë me Kastriotin. Kjo i krijon atij mundësinë të nënshkruajë me çdo skuadër. Momentalisht ai është në pritje të ofertave dhe mbetet për t’u parë se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.

Kastrioti militon këtë sezon në Kategorinë e Parë në futbollin shqiptar dhe synon që të ngjitet sa më shpejt në Superiore. Në sezonin e fundit, megjithëse e nisi fazën e dytë me pak pikë, u kthye në pretendent për të qëndruar, duke luftuar me Tiranën deri në javët e fundit të kampionatit. /VipSport.al/