Lerda: Goli në fund tronditje, duhej ta zgjidhnim më parë. Të punojmë për derbin

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, e ka cilësuar barazimin e sotëm si një duel të cilin ekipi i tij duhet ta kishte zgjidhur më mirë. Në SuperSport pas sfidës ai ka deklaruar se skuadra duhej ta kishte mbyllur më parë ndeshjen dhe se kishte pësuar një tronditje me atë gol në minutat e fundit.

“Ishte një ndeshje që mund ta zgjidhnim më mirë. Mund të shënonim golin e dytë dhe e bëmë në fakt, por gjyqtari e anuloi për pozicion jashtë loje. Për mua nuk ishte. Patëm rast edhe me Braun, por kështu e ka futbolli. Nëse nuk bën këto raste, ndodh edhe ajo që ndodhi në mbrojtje.

Në Europë kemi luajtur me 4, por ardhja e Boldor ka bërë që të luajmë me 3. Mund të luajmë me të dyja rreshtimet, por nuk është kjo arsyeja e paraqitjes sot. Duhet parë edhe entuziazmi i skuadrës.

Duhet të punojmë shumë në aspektin psikologjik. Një gol i pësuar në fund është një tronditje. Duhet të punojmë gjatë javës në aspektin psikologjik. Të karikojmë bateritë për derbin”, tha Lerda.