Leklerk kthen buzëqeshjet te Ferrari, fitore në Monza pas 9 vitesh

Sharl Leklerk është kthyer në idhullin e ri të tifozëve të Ferrarit, pasi piloti i ri francez po lë në hije të plotë Sebastian Fetel dhe po tregon se ai mund të jetë në të ardhmen rivali i vërtetë për titullin kampion përballë Luis Hemilton. Ai ka fituar sot Çmimin e Madh të Italisë në pistën e Monzas, duke lënë pas dy makinat Mercedes për t’i kthyer suksesin në këtë pistë skuadrës italiane për herë të parë që kur Alonso ia doli të bënte një gjë të tillë në vitin 2010.

Leklerk luftoi i vetëm për të siguruar fitoren në shtëpinë e Ferrarit, pasi Fetel u rrotullua në pistë dhe shkatërroi garën e tij ndërsa ishte në vendin e katërt në pjesën e parë të garës. Piloti i ri francez i rezistoi sulmit të Hemilton për më shumë se 20 xhiro në mesin e garës dhe atij të Botas në fundin e saj, por arriti t’ia dilte të ngjitej përsëri në majën e podiumit, vetëm 7 ditë pasi kishte siguruar suksesin e parë në karrierë.

Një bllokim gomash dhe dalje nga pista ndërsa po luftonte me Leklerk, bëri që Hemilton t’i dhuronte vendin e dytë Botas i cili provoi të kalonte ferraristin. Por edhe finlandezi gaboi në ndjekjen e kryesuesit të garës duke mbetur larg tij pa bërë një sulm vendimtar, me xhiron e fundit që u mbyll me 0,8 sekonda diferencë mes dy pilotëve.

Ndërsa Leklerk festonte, Fetel e shihte nga larg, pasi gabimi që bëri në fillimin e garës e la jashtë zonës së pikëve, duke i siguruar vetëm vendin e 13 në fund. Daniel Riçiardo siguroi vendin e katërt, i ndjekur nga Hulkenberg, Albon, Perez, Verstapen, Xhovinaci dhe Norris të cilët përfunduan në zonën e pikëve. /vipsport.al/