Kukësi provon forcën ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, i hap telashe Kombëtares

Ditën e djeshme, Kukësi ka rinisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, aty ku përballë do të ketë skuadrën e Bylisit. Këtë periudhë pushimesh, trajneri Duro do ta shfrytëzojë për të riaftësuar grupin pas një kalendari të ngjeshur, ndërkohë që duhet ta mbajë edhe të karikuar.

Kështu, është menduar që të bëhet edhe një ndeshje miqësore mes Kukësit dhe Strugës në datën 7 shtator, datë në të cilën edhe Kombëtarja do të luajë kundër Francës. Takimi mes Kukësit dhe Strugës do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 16:30.

Në fakt mund të duket një datë e papërshtatshme kjo, duke parë vendin se ku do të luhet ndeshja. Vetëm 3 ditë më vonë, Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e radhës në “Elbasan Arena”, aty ku përballë do të ketë skuadrën e Islandës dhe natyrisht kushtet e fushës duhet të jenë të mira, por me dy ndeshje në pak ditë, mund edhe të rëndohen. /Erjon Allaraj-VipSport.al/