Kukësi nuk humbet kohë për përgatitjet, sot rikthehet në fushë për ndeshjen e radhës

Kategoria Superiore ka marrë pushime dyjavore për shkak të angazhimit të Kombëtares në kualifikueset e Europianit dhe kjo periudhë, do t’i shërbejë trajnerëve të rikthehen me skuadra më të freskëta pasi 3 javët janë luajtur në pak ditë. Sakaq, Kukësi nuk ka humbur shumë kohë dhe sot do të rikthehet në fushën e blertë ku do të nisë përgatitjet.

Skuadra e Duros do të ribashkohet pasditen e sotme për stërvitjen e parë anti-Bylis ndërkohë që mungesa e vetme është ajo e Mirlind Dakut duke qenë se sulmuesi është grumbulluar nga Kosova U21 dhe ka angazhim me Përfaqësuesen e tij.

Pjesa tjetër e grupit do të jetë e plotë dhe deri në rifillim të kampionatit, edhe Besar Musolli do të jetë i gatshëm për ta nisur nga minuta e parë, lojtar ky që u dëmtua ndaj Partizanit. Ndërkohë, një tjetër rikthim është ai i Bruno Lulajt që ka shlyer dënimin e dhënë nga Disiplina me dy javë mungesë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/