Kosova ndryshon vetëm “krahët”, Anglia sot i beson talentit Sanço

Mund të duket e çuditshme për shumëkënd por një nga duelet më të ndjekura të ditës së sotme në Europë, dhe jo vetëm nga tifozët shqiptarë, do të jetë ai mes Anglisë dhe Kosovës. Përfaqësuesja e drejtuar nga Shaland ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm me 15 ndeshje radhazi pa humbje e për këtë arsye të gjithë duan të shohin e si do të reagojë ajo përballë një superfuqie si Anglia, për më tepër në fushën e kësaj të fundit.

Trajneri i Kosovës pritet të bëjë pak ndryshime në formacionin e skuadrës së tij për këtë duel, edhe pse ekipi shpenzoi shumë energji ndaj Republikës Çeke. Ndryshimet e planifikuara janë ato në mesfushë, ku Valon Berisha dhe Florent Muslija pritet të zënë vendin e Zhegrovës dhe Rashanit. Ndërsa në diskutim është edhe aktivizimi i Rashkajt nga minuta e parë në qendër të këtij reparti.

Nga ana tjetër, Garet Sauthgejt kërkon më shumë shpejtësi në manovrën e skuadrës së tij përballë mbrojtjes së Kosovës e cila është treguar mjaft e vëmendshme në këto ndeshje. Për këtë arsye, pritet që trajneri i “3 luanëve” të hedhë në fushën e lojës Xhadon Sanço në vend të Markus Rashford, për të shtuar fantazinë në repartin e avancuar. Ndryshimet e tjera të mundshme në krahasim me duelin ndaj Bullgarisë përfshijnë aktivizimin e Trent Aleksander-Arnold në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Formacionet e mundshme:

Anglia: Pikford, Rouz, Aleksander-Arnold, Meguajr, Kin, Rajs, Hendrson, Barklei, Sanço, Sterling, Kejn.
Trajner: Garet Sauthgejt

Kosova: Muriç, Aliti, Rrahmani, Vojvoda, Hadërgjonaj, Voca, Halimi, V. Berisha, Celina, Muslija, Muriqi.
Trajner: B. Shaland