Korçari Liço lë Sporting Lisbonën. Firmos me skuadrën historike të Serisë B

Dean Liço i ka dhënë lamtumirën skuadrës së Sporting Lisbonës, me të cilën ka qenë nën kontratë në vitin e fundit. Ish-mesfushori i Skënderbeut i cili ka luajtur me përfaqësueset U17 dhe U19 të Shqipërisë, tashmë do të mundohet të shpërthejë në futbollin italian, ku ka arritur paraprakisht një marrëveshje me një prej klubeve historike që tashmë gjendet në Serinë B, Peruxhian.

Prej disa javësh, Liço është stërvitur me ekipin e Kanara të Serisë D italiane, por ka marrëveshje me Peruxhian, e cila pritet të mbyllë brenda pak ditësh regjistrimin e tij në radhët e saj. Skuadra e drejtuar nga Masimo Odo kërkon gjithmonë talente të reja dhe Liço shihet si një futbollist i cili mund të ndihmojë në të ardhmen mesfushën e saj.

Në ditët në vijim pritet të plotësohet dokumentacioni për të bërë të mundur transferimin e futbollistit në radhët e klubit italian dhe për t’u vënë atje nën urdhrat e trajnerit Odo.

/vipsport.al/