Konte i shqetësuar para derbit, kërkon të gjejë me çdo kusht spiunin në dhomat e zhveshjes

Interi nuk e nisi Ligën e Kampionëve në mënyrën më të mirë duke qenë se u ndal në një barazim 1-1 nga Slavia e Pragës. Sikur të mos mjaftonte vetëm rezultati, zikaltërit po përballen me një situatë jo të këndshme duke qenë se në dhomat e zhveshjes ka pasur tension mes sulmuesit belg, Romelu Lukaku dhe mesfushorit Marselo Brozoviç.

Gjithçka ka ndodhur është pasqyruar ditën e djeshme në mediat italiane dhe kjo e ka shqetësuar jo pak trajnerin Konte. Ai ka kuptuar se në dhomat e zhveshjes është një spiun dhe tani më shumë se për të trajnuar skuadrën, ka detyrën e vështirë për të gjetur personin që publikon informacionet në media.

Natyrisht nuk është i gjithë problemi te tensioni mes dy futbollistëve por më shumë te e ardhmja. Me një spiun në dhomat e zhveshjes, Konte nuk mund të ketë qetësi duke qenë se çdo informacion i fshehtë mund të dalë në media dhe kjo, do ta dobësonte jo pak ekipin zikaltër. /Erjon Allaraj-VipSport.al/