Kombëtarja shqiptare merr një lajm të mirë një muaj para ndeshjes, Turqia humbet yllin e skuadrës

Fitorja ndaj Islandës ka rikthyer shpresën te Kombëtarja shqiptare për një kualifikim për në Europian dhe pas një muaji Shqipëria do të luajë përballë Turqisë. Në datën 11 tetor, kuqezinjtë kanë transfertën turke aty ku do të synojnë të marrin hak për humbjen e pësuar pak kohë më parë në Shkodër.

Për kuqezinjtë, vjen një lajm i mirë nga Turqia duke qenë se pak ditë më parë, Xhengiz Under ka pësuar një dëmtim. Ylli i Romës ka probleme me kofshët dhe nga rezultatet mjekësore të publikuara ditën e sotme, raportohet se Under duhet të qëndrojë të paktën 5 javë larg fushave të blerta, duke konfirmuar në këtë mënyrë mungesën ndaj Shqipërisë dhe Francës.

Një fitore në Turqi, do të hapte rrugën për në Europian pasi më pas do të luajë Shqipëria dy ndeshje të lehta në letër përballë Moldavisë dhe Andorrës. Shqipëria i mbyll kualifikueset në shtëpi, ku përballë do të ketë kampionët e Francës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/