Koliçi: Kampionati shqiptar është në rritje, me dënimin e Skënderbeut është ulur konkurrenca

Portieri Enea Koliçi vendosi këtë sezon të mbronte ngjyrat e fanellës së Skënderbeut teksa sezonin e fundit e mbylli me Flamurtarin. Portieri në një prononcim për RTSH ka treguar për eksperiencën e re në Korçë, ndërsa shprehet se kampionati shqiptar është çdo vit në rritje, megjithatë dënimi i Skënderbeut ka bërë që të bie konkurrenca.

“Të gjithë lojtarët që kanë ardhur përveç Pollozhanit që e njoh pasi kemi qenë pjesë e Flamurtarit, janë lojtarë të mirë. Pëllumbi është një lojtar shumë mirë, por edhe pjesa tjetër. Na duhet edhe pak kohë që të përshtatemi akoma më mirë me njëri-tjetrin. Çdo vit kampionati shqiptar është në rritje, me dënimin e Skënderbeut është ulur pak konkurrenca. Skënderbeun çdo sezon kualifikohej në Kupat e Europës, por e theksoj sërish se Superliga është çdo vit në rritje”, u shpreh Koliçi.

Këtë sezon, Skënderbeu e nisi mirë me dy fitoret në dy javët e para, por më pas erdhi humbja 0-3 brenda në Korçë ndaj Bylisit. Megjithatë, bardhekuqtë e kanë lënë mënjanë disfatën dhe kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Tiranës në kryeqytet.