Kolapsi rekord i Realit, Zidan shpjegohet: Ishin superiorë në gjithçka

Real Madrid ka mbyllur me një humbje të thellë 3-0 ndeshjen e sotme përballë PSG-së dhe vendosi një rekord negativ në këtë ndeshje. Për herë të pare që nga viti 2003, kur nisën të mbaheshin statistikat për aksione loje, pas 167 ndeshjesh të luajtura që atëherë, ekipi nuk regjistroi asnjë gjuajtje në kuadrat.

Një disfatë në lojë që kalon edhe shifrat e ndeshjes dhe për të cilën Zinedin Zidan është munduar të japë shpjegimet e tij. “Ata ishin superiorë në gjithçka që bënin dhe në intensitet, gjë që më bezdis më shumë. Ata ishin më të mirë dhe krijuan raste, por ajo që më shqetëson është se luajtëm pa intensitet. Ne humbëm shumë duele një kundër një dhe kjo të komplikon jetën kur luan përballë një skuadre si PSG.

Ajo që më shqetëson më shumë është jo se humbëm duelet, por se ekipi im nuk u paraqit në nivelin që kërkon ky kompeticioni dhe një kundërshtar si PSG. Nuk hymë asnjëherë në ndeshje. Shënuam dy gola që na u anuluan, por nuk bëmë asgjë tjetër përveç tyre”, pranoi Zidan kapitullimin e ekipit të tij. /vipsport.al/