Kishte më shumë se një dekadë që nuk vihej dorë, Burreli bëhet me stadium modern!

FSHF dhe sektori i garave ka vënë si kusht që asnjë skuadër, sidomos e Kategorisë së Parë nuk do të marrë pjesë në garë në qoftë se stadiumi i saj nuk do të plotësojë kushtet. Dhe disa ekipe nisën nga puna e disa të tjera, po bëjnë sikur po punojnë, me ndonjë suvatim e ndonjë bojë sa për të thënë.

Mirëpo, ajo që të bën përshtypje është ndryshimi rrënjësor që po pëson stadiumi “Liri Ballabani” i qytetit të Burrelit. Në Mat, me ardhjen e kryebashkiakut të ri Agron Malaj, në stadium po punohet si të thuash “natë e ditë”, me forca të shumta në mënyrë që sezoni i ri t’i gjejë matjanët në një impiant gati.

Punimet kanë avancuar dhe ndryshimet janë rrënjësore. Madje, tribuna dhe llamarinat të cilat i mori era pak vite më parë nuk janë më. Tribuna kryesore është bërë moderne, ndërsa do të ketë në krah të saj edhe karrige plastike si kurrë më parë. janë lyer ambientet e brendshme e të jashtme, ndërsa tapeti i barit është në kushte mjaft të mira.

Por, edhe hyrja e stadiumit ka ndryshuar, duke e bërë që të sistemohet, me parking, por edhe me ambiente të përshtatshme. Në stadiumin e Matit kishte kohë që nuk ishte vënë dorë, ndërsa Kategoria e parë, në sezonin e ardhshëm do të ketë një stadium mjaft të mirë dhe me kushte optimale…!

E.S.Vipsport.al/