Kategoria e Parë dështon pa nisur, skuadra me traditë dhe Shënkolli do jenë “emigrantë”

Kategoria e Parë sot hodhi shortin dhe në fundjavë, të shtunën e 14 shtatorit, do të startojë. Mirëpo duket se gara ka dështuar sepse disa ekipe nuk kanë plotësuar kushtet dhe sidomos me ambientet ku do të luajnë.

Edhe pse flitej se ky vit do të ishte ndryshe, skuadrat kanë vështirësi të mëdha të plotësojnë kushtet infrastrukturore për të luajtur rregullisht dhe disa klube është e sigurt që do të jenë emigrant në këtë edicion.

Kështu, Shënkolli nga Grupi B nuk do t’i luajë ndeshjet në fushën e vet por në stadiumin e qytetit të Lezhës, “Besëlidhja”, pasi fusha e saj nuk plotëson kushet.  Po ashtu edhe Besa e Kavajës, një ekip që pretendon Superioren, do të shtegtojë dhe pavarësisht se ka bërë disa ndërhyrje në stadium, nuk e kalon klasën. Ndaj edhe ndeshjet si pritës ka gjasa t’i luajë në Lushnjë. Ndërkohë, ekipet e tjera për momentin kanë marrë “OK”, por situata mund të ndryshojë javë pas jave. /vipsport.al/