Kasijas iu përgjigjet pyetjeve nga fansat, legjenda zbulon portierin më të mirë dhe ekipin kandidat për Champions

Iker Kasijas, ndoshta nuk pati lamtumirën e merituar nga futbolli.  Spanjolli vuajti nga një sulm në zemër gjatë një seance stërvitore me Porton, por fatmirësisht situata e vështirë kaloi shpejt. Ndërkohë, tashmë Kasijas ka marrë një rol drejtues te klubi portugez, teksa gjithashtu kujdeset edhe për rikuperimin e tij të plotë.

Së fundmi, nëpërmjet rrjeteve sociale, legjenda e portës ka vendosur t’i përgjigjet pyetjeve të ndryshme nga fansat. Kështu, Kasijas ka dhënë mendimin e tij rreth portierit më të mirë aktualisht, teksa është shprehur se është e vështirë por nëse i duhet të zgjedhë, atëherë ai është Jan Oblak i Atletiko Madrid. Ndërkaq sipas Kasijas, Juventusi është përforcuar në merkato dhe është pretendente për Ligën e Kampionëve, por është ende fillimi dhe shpejt për të folur.

Ndër të tjera, Kasijas zbulon se me Murinjon nuk ka probleme, duke shpjeguar se ka pasur momente të mira dhe më pak të mira. Sa i përket Topit të Artë, ish-portieri i Spanjës, theksoi se duhet të jepet një çmim për çdo rol. “ Van Dajk duket se është mbrojtësi më i mirë i sezonit të kaluar. Por, Topi i Artë është një çështje e vështirë. Duhet të japin çmim për çdo rol në fushë”, tha Kasijas.

/Egi Çabeli-VipSport.al/