Kalendari i Superiores / FSHF cakton ditët e javës së 4-t, vazhdon kaosi me oraret e njëjta

Federata Shqiptare e Futbollit më në fund ka vendosur që të caktojë ditët për ndeshjet e javës së katërt të Kategorisë Superiore, e cila gjithsesi vazhdon të mbetet pezull nga oraret. FSHF ka ndarë sfidat në dy ditë, duke u vendosur të gjithave provizorisht të njëjtin orar, ndërsa u ka kërkuar klubeve që të plotësojnë kushtet e saj për ndriçimin artificial.

FSHF kërkon një certifikatë sigurie të ndriçimit në stadiume dhe nëse klubet nuk e bëjnë të mundur, atëherë do të jenë të detyruara që të luajnë në impiantet e tyre vetëm në orën 16:00, që është ajo e drekës për muajin shtator, ndërsa me ndriçim luhet në orën 19:00 në ato stadiume që plotësojnë kushtet.

Sipas programit paraprak të FSHF-së, tre ndeshje do të luhen të shtunën në orën 16:00 nëse klubet nuk sigurojnë ndriçimin artificial. Teuta-Vllaznia, Tirana-Skënderbeu dhe Luftëtari-Flamurtari janë të caktuara të gjitha për këtë ditë, me oraret që pastaj mund të ndryshsojnë në varësi të kushtit të mësipërm.

Ndërsa të dielën, të dy ndeshjet do të jenë detyrimisht në orën 16:00, pasi impiantet ku luhet janë gjithsesi pa ndriçim. Të dielën dy ndeshjet do të jenë Laçi-Partizani dhe Bylis-Kukësi. /vipsport.al/