Justifikohen te Flamurtari pas disfatës në Kupë: Mendjen te kampionati!

Katër humbje në kampionat dhe erdhi goditja edhe në Kupën e Shqipërisë, në ndeshjen e parë të turit të parë me Veleçikun, 3-2. Më keq se kaq nuk mund të mendohej një start i tillë për Flamurtarin e Vlorës.

Trajneri Dritan Sadedini ndihet në pozita mjaft të vështira, ndërsa sipas tij, humbja në kupë erdhi për shkak se skuadra është më shumë e përqendruar në kampionat, te ndeshja e radhës me Laçin ku synohet që të vijnë edhe pikët e para.

“E kishim vlerësuar ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, pavarësisht humbjes. Erdhëm me djem të rinj në Shkodër, duke qenë se baza e skuadrës është stërvitur në Vlorë sepse mendojmë për kampionatin, pasi ende nuk kemi marrë pikët e para. Të dyja skuadrat bën një ndeshje dinjitoze”, – tha Sadedini.

Flamurtari ka ndeshjen e radhës në shtëpi me laçin, një mundësi e mirë për fitoren e parë, ndryshe kriza do të ishte kryefjalë në Vlorë.  “Më shumë se te Kupa e Shqipërisë, gjatë javës jemi përqendruar te sfida e kampionatit me Laçin. Vetë situata në të cilën ndodhemi, na detyron që të kërkojmë pikët në kampionat. Kemi kaluar shumë vështirësi në këto javë, ashtu si me punë jemi munduar që të bëjmë më të mirën. Kështu që duhet që të mendojmë për pikët e para që këtë javë”, – tha trajneri i skuadrës së Flamurtarit, Dritan Sadedini.

E.S./Vipsport.al/