Jupi: Tirana mbetet forcë e tretë e kampionatit, shpreson që Partizani e Kukësi të ngelen si janë

Redi Jupi është i mendimit se Edi Reja ndaj Islandës ka filluar të njohë tamam ekipin kombëtar dhe atë që mund të bëjnë futbollistët e tij. Në “Procesi Sportiv”, ish-futbollisti i përfaqësueses argumentoi se ndeshja me Islandën si gjënë më pozitive kishte afirmimin e shumë emrave të rinj që janë e ardhmja e ekipit.

“Për nga faza që po kalonim ishte fitore e rëndësishme për situatën. Ekipi kombëtar dhe lojtarët që ka është e pamundur të bëjë humbje e performanca të këqija rresht. Ishte fitore me histori brenda, kishte më shumë vende për të parë shumë ulje-ngritje sesa fitorja në vetvete. Ishte e rëndësishme për moralin.

Ky është një trajner që nuk diskutohet dhe problemi është sa njeh skuadrën dhe sa mbështetet nga stafi. Bota është shpëtuar nga njerëzit që thonë jo në momente të caktuara, njerëzit që janë kritike, flas edhe për ndihmësit e tij. Asnjë trajner shqiptar nuk do i bënte ato gabime, është e mirë që po njeh tani skuadrën. Një trajner duhet 5-6 muaj të njohë një ekip kombëtar, nëse do të mbështetet për të shmangur gabimet nga stafi. Mendoj se ne jemi larg kualifikimit por kjo performancë na jep besim. Patëm brenda ndeshjes edhe Francën, edhe Islandën, pamë konfuzion, organizim, lojtarë jashtë pozicioneve që mund të sillte humbje por sollën fitoren. U arrit me dëshirë, impenjim. Jam i kënaqur që pati konfirmim të disa lojtarëve të cilët do të luajnë në 10 vitet e ardhshme me kombëtaren e jo të luajnë tani e të kthehen pas një viti.

Lojtarë të ekipit kombëtar nga U21 do të na vijnë, për mendimin tim ata që kanë shkuar më shumë në ekip kombëtar kanë qenë të Gegës, Bushatit e Hafizit. Edhe Bushi ka një brez të mirë lojtarësh, ka marrë rezultate të këqija, por gjenerata nuk është e keqe. Edhe unë kam rezervat e mia për mënyrën si shkoi ndeshja, por Shqipëria ka të ardhme”, tha Jupi.

Analiza e Kategorisë Superiore
“Tirana ka bërë mirë dhe e tregon fakti që është në vend të parë me 10 pikë. Ky ka qenë një kampionat specifik ku gati gjysma e skuadrave kanë nisur gati 2 javë para fillimit kampionatin. Duke e filluar nga Skënderbeu që dy javë para mori garancinë ekonomike e sportive që do luhej, Luftëtari që nuk e dinte ku ishte, Flamurtari që e keni parë të gjithë, Vllaznia me bashki e pa bashki me zgjedhjet. Gjysma e skuadrave nuk kishin garanci si të fillonin kampionatin.

Prisja që Partizani të bënte diçka më shumë në këtë fillim, se kishte skuadër solide, fituese, që krijoi një sistem loje dhe na mësoi me të. Duhej të ishte skuadra për të mundur por ka munguar dhe kam përshtypjen do mungojë dhe mbrapa. Kukësi është me një grup shumë solid, por varet nga gjendja e lojtarëve që ka përpara, që vijnë pas një mosaktivizimi të gjatë si Gavazaj e Abazaj, duhet kohë derisa të gjejnë koordinimin me Shkurtajn e Rrocën. Pritja që Partizani e Kukësi të shkëputeshin, nuk kanë bërë keq, por nuk po shfaqen dhe kjo ka bërë që Tirana të jetë në vendin e parë.

Është e pamundur që skuadra të bëhet brenda tre muajsh një ekip për vendin e parë. Tirana po bën mirë, është e fortë, por prapë mbetet forca e tretë e kampionatit. Shpresa e Tiranës është që dy të tjerët të ngelen në nivelet që janë, që të shkojë atje ku duhet të shkojë”. /vipsport.al/