Jupi: Këtu klubet mbahen peng, Tirana bëri edhe ndeshje me tifozët

Redi Jupi mendon se klubet shqiptare gabojnë që mbeten të lidhura ngushtë me grupimet e tifozerisë. Ish-futbollisti i njohur në studion e “Procesi Sportiv” argumentoi se ngjarja para derbit kishte shkatërruar një ndeshje e cila si rrallëherë kishte pasur nivel loje.

“Në gjithë botën nuk ka grupime tifozësh. Ne e kemi diskutuar para shumë vitesh dhe këtu janë të tejkaluara. Ne jemi me vonesë 20-30 vite mbrapa me botën normale dhe kështu jemi edhe këtu. E gjitha kjo është proces. Kjo nuk ka filluar akoma pasi klubet bëjnë populizëm. Tirana dhe Partizani bëjnë populizëm. 10-20 veta i bëjnë. Para disa vitesh, Tirana ka bërë ndeshje me tifozët.

Tirana mund të ketë 100 mijë tifozë në qytet. Tifoz është ai që blen shall e bluzë, ndjekës në stadium dhe TV. Këta quhen tifozë. Klubet punojnë keq sepse kanë tendencë të merren peng. Kanë histori të keqe dhe kjo shqetëson. Duhen shkëputur klubet dhe jo vetëm në ndeshje derbi por edhe në ndeshje normale. Kërkesa nuk është e madhe dhe këtu duhen sjellë tifozët. Pavarësisht bombave apo minave, klubet punojnë jashtë interesave.  Dje përveç atyre në sherr, ndeshja ishte cilësore dhe me nivel të mirë. E gjitha kjo që ndodhi e zbehu dhe nxori në plan të dytë cilësinë e ndeshjes”, tha Jupi. /vipsport.al/