Ishte një nga transferimet më të bujshme në Kosovë, Shameti disa muaj jashtë

Nis shumë keq aventura e Ylli Shametit në kampionatin kosovar të futbollit, pasi një nga blerjet më të bujshme të kësaj vere në Superligën e Kosovës, do të qëndrojë për shumë kohë larg fushave të blerta. Futbollisti iu bashkua Gjilanit në ditët e funti të merkatos, për t’u bërë një nga lojtarët më të paguar në futbollin kosovar, por për debutimin e tij do të duhet ende shumë kohë.

Dëmtimi i tij që e shqetësoi që në fundin e sezonit të kaluar te Kukësi ka rezultuar më problematik se sa mendohej dhe sipas mediave kosovare, Shameti i është nënshtruar një operacioni në menisk në një nga spitalet e Athinës, Natyrshëm që kjo do të thotë se ai do të mungojë të paktën dy muaj nga fusha e lojës.

Në një situatë të tillë, Gjilani është detyruar të hyjë përsëri në merkato dhe për të mbyllur “gropën” në mbrojtje, ka kontaktuar Franc Veliun, i cili ka pranuar ofertën e skuadrës kosovare për t’u bërë pjesë e saj, duke u kthyer në përforcimin e radhës që kalon nga Superiorja në Superligë. /vipsport.al/