Ish-mesfushori i Tiranës dhe Skënderbeut ndryshon skuadër në Amerikë, rikthehet te e kaluara

Afrim Taku ka ndryshuar sërish skuadër në Amerikë. Ish-mesfushori i Tiranës por edhe Skënderbeut në Kategorinë Superiore ka vendosur të rikthehet sërish te skuadra e Tampa Bei Roudis, pas një eksperience për gjysmë sezoni te Sharlot Indipendence.

Të dyja këto klube bëjnë pjesë në kampionatin e USL. Njoftimin për rikthimin e 30-vjeçarit e bëri vetë klubi amerikan nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Kështu, Taku nis një aventurë të cilën e ka përjetuar edhe më parë, por mesa duket i ka shijuar më shumë, ndërsa ka qenë i rëndësishëm për ekipin e Tampa Bei. Taku prej dy viteve është pjesë e kampionatit amerikan të USL, teksa është larguar nga Skënderbeu në sezonin 2017-2018.  /Egi Çabeli-VipSport.al/