Intervista për “VipSport”/ Mërgjyshi: Ja projekti për Superioren dhe talentet, në Fier rikthejmë tifozët në stadium

Artan Mërgjyshi është një nga trajnerët që ka eksperiencë të gjatë në Superiore dhe në Kategorinë e Parë, duke drejtuar skuadra të njohura në vendin tonë. Nga Dinamo, te Besa, Apolonia, Bylisi e Laçi. Mërgjyshi këtë verë zgjodhi që të rikthehej në Fier duke ditur edhe synimin madhor të fierakëve që është rikthimi mes më të mirëve. Organizimi, kushte mjaft të mira, merkato dhe financa të garantuara, Mërgjyshi dhe Apolonia ndezin motorin për t’u rikthyer mes më të mirëve në fund të sezonit…!

E vështirë, por jo e pamundur, këtë fazë përgatitore e kanë ndjekur nga afër edhe presidenti, z. Koço Kokëdhima, si dhe administratori Olsi Bregu, madje po punohet jo vetëm me skuadrën e parë, por edhe me akademinë…Tashmë që kalendari u hodh dhe Apolonia ka mësuar edhe shortin, trajneri Artan Mërgjyshi në një intervistë për “Vipsport.al” është optimist…

-Mërgjyshi, sot jeni njohur me kalendarin dhe shortin. Si e pret Apolonia fillimin e garës?

Apolonia është mjaft e përgatitur. Përgatitjet janë nisur shumë herët. Është ruajtur baza e skuadrës dhe janë bërë përforcime cilësore. Jemi gati dhe duam që ta nisim mbarë, madje shpresoj që të marrim 3 pikët që në start. Shpresoj që ndeshjen ta luajmë në “Elbasan Arena”. Doja ta luanim në shtëpi, por nëse e luajmë në “Elbasan Arena”, skuadra do të shprehet më mirë….

-Si ju duket fakti që sot mësohet kundërshtari dhe të shtunën zbrisni në fushë?

Në fakt është pak e vështirë, megjithatë janë pesë ditë kohë dhe tashmë do të fokusohemi te ndeshja e radhës. Kjo është detyra jonë. Tashmë mendjen te kampionati.

-Apolonia ka qenë mjaft aktive në merkato dhe ndeshje miqësore, si mendon Mërgjyshi në këtë aspekt?

Prisja edhe një mbrojtës qendre, ndërsa skuadrën e shoh shumë të konsoliduar në mesfushë dhe në sulm, pa harruar edhe portën. Megjithatë, janë afruar kualitete dhe ka një gërshetim mes skuadrës. Kam besim dhe besoj se me mbështetjen e presidencës, Apolonia këtë sezon do të jetë një ekip shumë i fortë me synimin e vetëm për të marrë më të mirën në çdo ndeshje dhe të ngjitemi në elitë.

-Mërgjyshi e njeh mirë Grupin B të Kategorisë së Parë, si e sheh Apoloninë në krahasim me rivalët?

Ka rivalitet në grupin tonë, por Apolonia ka një grup shumë të mirë dhe një stërvitje të logjikshme të gërshetuar edhe më shumë ndeshje miqësore. Në ndeshjen testuese me Laçin, me thënë të drejtën ekipi më bindi dhe tregoi se po marrim “frytet” e punës kolosale që kemi bërë dhe po bëjmë. Pastaj ka rivalitet, është Lushnja, Besa, Pogradeci, e shumë ekipe të tjera. Imagjinoni, me përjashtim të 2-3 ekipeve, të gjitha rivalët në grupin B kanë qenë në Superiore, e madje disa janë skuadra me shumë traditë.

-Fakti që do t’iu mungojë “Loni Papuçiu” në javët e para do të ndikojë në performancën e skuadrës?

Jo më kot miqësoret i kemi zhvilluar jashtë pjesën më të madhe të tyre. Por, një skuadër që është e motivuar e stërvitur mirë dhe i ka idetë dhe synimet e qarta, mendoj se nuk e ka problem fushën. Ne do të na mbështesin edhe tifozët jashtë fushës. Madje, bashkë me drejtuesit këtë kemi si qëllim, që Apoloninë ta mbështesin edhe në transfertat këtë sezon, sepse ka nisur një projekt afatgjatë.

Intervistoi: Erjon Saliu/Vipsport.al/