Interi nis nga puna për rinovim me Lautaron, Marota synon të largojë “sirenat” spanjolle

Lautaro Martinez po tregon te Interi se është një nga sulmuesit më të rëndësishëm për të ardhmen dhe mbrëmjen e djeshme ka shënuar 3 gola në fitoren 4-0 që Argjentina mori ndaj Meksikës. Këto shifra, kanë bërë që në Itali të mendojnë seriozisht për rinovimin e kontratës së argjentinasit dhe nuk duket se do të jetë shumë problem.

Interi tenton ta zgjasë kontratën deri në vitin 2024 dhe nga 1.5 milionë euro në sezon që përfiton Lautaro, pritet që të marrë plot 2.7 milionë euro në sezon. Kjo rritje e pagës, duket se do ta bindë argjentinasin, ndërkohë që zikaltërit kanë edhe një tjetër pretendim.

Aktualisht, Lautaro ka një klauzolë 111 milionë euro dhe Marota do që ta rrisë këtë klauzolë ose në rastin më të mirë, ta largojë komplet dhe më pas të vendosë klubi për të ardhmen e tij. Nga Spanja, kanë nisur interesimet e para dhe “fcinternews.it” raporton se pikërisht këto interesime nga Spanja, e kanë shtyrë Marotën që të mendojë për heqjen e klauzolës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/