Interes i jashtëzakonshëm për derbin e Madoninës, Milani vendos të mos shesë të gjitha biletat

Mbrëmjen e nesërme do të luhet derbi i Madoninës mes Milanit dhe Interit, ku dy skuadrat kanë dhuruar spektakël gjithmonë në ndeshjet mes tyre. Kuqezinjtë nuk po kalojnë një nga momentet më të mira, ndërkohë që nga ana tjetër, Interi kërkon të lërë pas barazimin në Ligën e Kampionëve ndaj Slavias së Pragës.

Ashtu si edhe në derbit e kaluar, edhe në këtë ndeshje ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm nga tifozët. Në stadium, pritet të jenë rreth 72 mijë mbështetës, ndërkohë që stadiumi nuk do të jetë “Sold Out” për këtë ndeshje.

Shkak janë bërë kushtet e sigurisë në unazën e tretë të stadiumit, aty ku ka pasur lëkundje në mënyrë të vazhdueshme. Klubi i Milanit ka vendosur që të shesë rreth 2500 bileta më pak në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e atyre që do të jenë në “San Siro” për të ndjekur derbin më të madh në Itali. 65 mijë tifozë, pritet të jenë tifozë të Milanit, ndërkohë që 7500 do të jenë të Interit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/