I shënoi Kukësit e Partizanit, një tjetër ish-mesfushor i Luftëtarit firmos në Greqi

Në koloninë e futbollistëve të huaj me kombësi nga më të ndryshmet te Luftëtari në dy vitet e fundit, Angelos Çanti ishte një prej atyre që tregoi se mund të kishte bërë emër në futbollin shqiptar nëse gjirokastritët nuk do të kishin pasur probleme të mëdha financiare. Lojtarit i lindur në Greqi, i cili luante me kombëtaren e Jordanisë, zbarkoi në futbollin shqiptar në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, duke lënë përshtypje të mira me gjirokastritët.

Çanti u bë pjesë e ekipit i cili në mënyrë të shkëlqyer arriti të mbijetonte kundër çdo lloj parashikimi, pavarësisht muajve pa u paguar e krizës së thellë financiare të klubit. Në 9 ndeshje në kamopionat, ai arriti të shënonte dy herë, si në suksesin 3-2 ndaj Kukësit, ashtu edhe në barazimin 1-1 ndaj Partizanit, duke ndihmuar ekipin të merrte pikë që siguruan mbijetesën lehtësisht.

Por ashtu si pjesa më e madhe e skuadrës, në fund të sezonit edhe ai i dha lamtumirën Gjirokastrës, i ndërgjegjshëm se me këto probleme financiare ishte e pamundur të vazhdonte në Shqipëri. Ndërsa lojtari vazhdon gjyqin me Luftëtarin për pagesat e prapambetura, ai ka gjetur një ekipt të ri për të vazhduar karrierën.

Sipas informacioneve nga Greqia, Çanti ka firmosur me ekipin e Kavalla në kategorinë e dytë greke, Ai është cilësuar si një blerje shumë e rëndësishme nga klubi, i cili ka arritur një marrëveshje për këtë edicion me mesfushorin ofensiv. /vipsport.al/