I padëshiruar te Interi, Ikardi do jetë lideri i sulmit në Champions ndaj Realit

Transferimi i Mauro Ikardit te PSG i ka dhënë fund për disa muaj telenovelës së sulmuesit argjentinas. Për Interin ai ishte i panevojshëm dhe kërkonte një sistemim për të, që e gjeti në Paris, ku futbollisti mendohej se do ta kishte të vështirë të çante, por kur brenda pak javësh fati i ka krijuar mundësinë që të bëhet menjëherë protagonist në arenat më të rëndësishme të futbollit europian.

PSG aktualisht ka një probleme shumë të madh me dëmtimet e lojtarëve dhe sipas asaj që është mësuar, nuk do të ketë asnjë nga tredhëmbëshi origjinal i sulmit që mendohej të kishte në dispozicion trajneri Tomas Tuhel. Nejmar është i pezulluar për deklaratat kundër UEFA-s, ndërsa Mbape e Kavani janë të dy të dëmtuar dhe do të mungojnë për sfidën e kësaj jave në Ligën e Kampioneve.

Kësisoj, Tuhel do të jetë i detyruar të përdorë nga minuta e parë Ikardin të mërkurën në ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Real Madrid. Ai do të jetë në majën e sulmit, i mbështetur nga dyshja Sarabia-Di Maria, që do ta ndihmojë përballë mbrojtjes së madrilenëve në një nga duelet kryesore të kësaj mesjavë ne Europë. /vipsport.al/