I mbuluar plotësisht në barelë, Shumaher transferohet në Paris për një trajtim eksperimental

Kanë kaluar më shumë se 5 vite që nga aksidenti i rëndë me ski që ka lënë me pasoja të rënda fizike Mikael Shumaher, legjendën e garave të Formula 1 dhe për shumëkënd ka filluar të venitet shpresa se mund ta shohë ndonjëherë përsëri gjermanin të buzëqeshë para kamerave si dikur. Prej 5 vitesh ai i nënshtrohet kurave në fshehtësi të plotë në vilën e tij në Zvicër e tani familja e tij po mundohet të provojë diçka të re për t’i kthyer sadopak normalitetin ish-pilotit gjerman i cili mendohet se ka vuajtur pasoja të rënda pas dëmtimit në kokë që e la në koma për disa muaj.

Sipas mediave franceze, Shumaher është shtruar të hënën në darkë në një spital në Paris, për t’iu nënshtruar një trajtimi të ri eksperimental me qelizat staminale. Kirurgu i famshëm francez, i cili trajton kryesisht çështjet e zemrës, Filip Menash, do të merret personalisht me çështjen e Shumaher në spitalin “Pompidou” në kryeqytetin francez.

“Le Parisien” raportoi se Shumaher ishte sjellë në një barelë në ambientet e brendshme të spitalit, i mbuluar plotësisht me një cohë blu, në mënyrë që askush të mos shihte as gjendjen e tij fizike e as fytyrën e tij, për të ruajtur privatësinë, ndërsa 10 persona përbënin stafin e sigurisë që e rrethonte në ato momente. Gjithçka sigurisht do të vazhdojë të mbetet sekrete, pasi familja ka bërë të ditur se nuk do të japë detaje rreth gjendjes së ish-pilotit të Formula 1. /vipsport.al/