Hysaj “kërcënon” Liverpulin: Nuk do ta ketë të lehtë në Napoli, vjet ishim më të fortë se ata

Liga e Kampioneve kthehet këtë javë me një ndeshje spektakolare mes Napolit dhe Liverpulit, një mundësi tjetër që Elseid Hysaj të tregojë veten në nivelet më të larta në këtë turne. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare vazhdon të jetë pjesë e napolitanëve dhe trajneri Karlo Ançeloti e di mirë se ka pak lojtarë si ai në dispozicion për të mbrojtur ndaj sulmuesve të rrezikshëm të fituesve në fuqi të turneut.

Vetë Hysaj mendon se ashtu si një vit më parë, kur napolitanët mundën skuadrën e Klop në grupe, përsëri do të jetë një ndeshje ku anglezët nuk do ta kenë të thjeshtë të dalin me rezultat. Në një bisedë me “AFP”, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka treguar besimin që ka se Napoli do të dijë të dhurojë një tjetër ndeshje të madhe, duke u bazuar mbi futbollin argëtues që bën, edhe pse përballë ka një prej ekipeve më të forta në Europë.

“Mendoj se është njëlloj si vitin e kaluar, ku të gjithë prisnin që Liverpuli të fitonte. Ishim pa fat, pasi në fakt mendoj se ne treguam se e meritonim të kualifikoheshim në grup. Ne luajtëm kundër Liverpulit dhe treguam se ishim më të fortë se ata. Është e qartë se do të jetë një ndeshje e vështirë, të gjitha ndeshjet janë. Duhet të japësh 100%, kur je në 100%, e di që do të jetë një ndeshje e mirë për ty dhe një ndeshje e vështirë për kundërshtarin tënd.

Thjesht duhet të jesh i qetë dhe si në çdo ndeshje tjetër, të tregojmë se luajmë lojën tonë. Pastaj të shohim. Mendoj se cilësia kryesore e Napolit është loja që bën, loja që ofrojmë në çdo ndeshje, duhet të jemi të qëndrueshëm dhe të mendojmë se ne jemi Napoli dhe mund të konkurrojmë ndaj çdo skuadre në botë.

Liverpuli është një prej skuadrave më të forta. Ajo ka fituar Ligën e Kampioneve ndaj duhet të respektojmë këtë skuadër, atë çfarë ka fituar, lojtarët që ka. Por nga ana jonë nuk mund të harrojmë se kush jemi, se jemi Napoli dhe se në sezonin e kaluar ne mundëm këtë skuadër që fitoi Ligën e Kampioneve. Do i  vendosim në vështirësi. Ata nuk mund të vijnë në Napoli të luajnë qetësisht, e dinë që do të kenë vështirësi. Është e vërtetë që është përgjegjësi e madhe të luash ndaj futbollistëve aq të fortë sa Salah, Firmino, Mane e Van Dajk. Por është gjithashtu një mundësi për ne që të tregojmë cilësitë tona”,  deklaroi Hysaj. /vipsport.al/