Grent Halili: Dashuria për klubin ka bërë që të vazhdoj sportin, do kem më shumë sukses se babai në postin e presidentit

Grent Halili e ka filluar sezonin në mënyrë të shkëlqyer teksa në katër ndeshje ia ka dalë të shënojë tre gola, të cilat kanë rezultuar me shumë peshë për ekipin. Në një intrevistë për RTSH, Halili është shprehur se fakti që është djali i presidentit ndikon shumë në karrierën e tij. Ndër të tjera, sulmuesi i hap edhe një sfidë të atit për rolin e presidentit.

Rënia nga kategoria? Të them të drejtën atë ditë shkruajtëm një histori të errët për Tiranën. Por këtë vit shpresojmë ta kalojmë. Ka qenë një vit jo i thjeshtë, kemi pasur sulme të jashtme. Por të mos i kthehemi të shkuarës. Është e vështirë kur babai, sheh çunin duke qarë. Por edhe çuni të shohë babain , të kalojë gjithë atë stres dhe në fund të kalojë në një dështim.

Fakti që është djali i presidentit? Të jem i hapur, sigurisht që ndikon dhe do ndikojë gjatë në karrierën time. Ka ndikuar në minutat e mia. Lojtari të ecë para kërkon minuta. Edhe pse në moshë të vogël, para disa vitesh kam pasur mundësi të kisha më shumë minuta por ka ndikuar historia. Kam qenë 18-vjeç dhe deri në 20-vjeç nuk kam marrë minutat e duhura, besoj të ishte dikush tjetër do e kishte lënë sportin. Por dashuria që kam për këtë klub dhe pasioni  për futbollin nuk më ka lënë. Do jetë e vështirë, por vazhdoj.

Një top i humbur, apo një rast i humbur dhe çohet stadiumi në këmbë, ndryshe nga të tjerët. Por kritikët më shtyjnë të jap më të mirën në fushë dhe shokët kanë qenë një ndihmë e madhe.  Asnjëherë nuk më kanë parë në atë mënyrë, edhe unë sillem si të tjerët jo si djali i presidentit. Në vite ka pasur lojtarë si Karabeci, Muça më kanë mbështetur por Osmani më ka ndihmuar. Kemi pasur më shumë kohë për të ndenjur me njëri tjetrin. Dua ta falënderoj pasi ka qenë një përkrahje e madhe. Marrëdhënia me presidentin?  Kemi marrëdhënie president- lojtar, edhe pse kam qenë i vogël, kemi biseduar shumë. Të them që më pëlqen më shumë marrëdhënia president-lojtar. Edhe motra ka filluar të angazhohet dhe është e pashmangshme biseda për futbollin në shtëpi.

Merkato dhe konkurrenca? Është bërë merkato më e mirë për aq kohë sa kam në klub. Kjo ka rritur konkurrencën. Reparti im është i tejmbushur. Nuk është e lehtë të fitojmë konkurrencën. Kale, Kobina Torasa, Ngo kanë më shumë eksperiencë. Por me punë fat dhe përqendrim besoj se mund të konkurroj. Grupi është arsyeja pse kemi ecur, jemi si një familje. Nuk ka njeri specifik me të cilin dëshiroj të luaj. Ndjehem mirë me këdo, nuk ka rëndësi. Do dëshiroja Ngonë në majë të sulmit.

Vazhdimësia e formës deri në fund të kampionatit? Është e vështirë të ruaj këtë formë deri në fund të kampionatit. Nuk e kisha menduar për këto performanca, por merr një shtysë të madhe. Objektiv nuk është të dal golashënues i kampionatit as i ekipit, por dua të arrij objektivat e mia dhe të ekipit. Duhet të mendojmë për klubin. Të jemi si familje. Goli në derbi?  Të shënosh në derbi është ndjenjë e papërshkrueshme. Goli i javës së kaluar është më i bukuri si nga emocionet por edhe realizimi.

Pasuesi i babait në postin e presidentit? Sapo kam mbaruar universitetin, është herët. Me kalimin e kohës, duke u angazhuar me babin do jem i denjë ta zëvendësoj. Do ta bëj punën më mirë se ai. Sepse kur je futbollistë është  mirë. Sfidë ndaj Halilit?  Zoti Halili le ta marrë si të dojë. Besoj që eksperienca si lojtar do më ndihmojë dhe do jem akoma më i mirë se ai.