Golat e Hidit nuk janë një rastësi te Bylisi, edhe sezonin e shkuar kishte një portier golashënues

Isli Hidi është kthyer në protagonist te Bylisi duke qenë se në dy javët e fundit ka arritur të shënojë 2 gola në kampionat. Fillimisht, gardiani i Bylisit arriti të ndëshkonte Skënderbeun me një penallti, ndërkohë që po nga pika e bardhë ka realizuar edhe kundër Kukësit duke baraspeshuar rezultatin.

Në Ballsh, duket se kanë shumë besim te portierët për sa i përket penalltive të shënuara duke qenë se edhe sezonin e shkuar ishte e njëjta histori. Bylisi militonte në Kategorinë e Parë dhe për disa ndeshje nuk pësonte humbje duke vënë edhe një rekord, e njëkohësisht duke siguruar pjesëmarrjen në Superiore. Atë kohë, porta e Bylisit mbrohej nga 34-vjeçari Mario Bytyçi, i cili ishte edhe golashënues me skuadrën e tij.

Të gjitha penalltitë, iu besuan Bytyçit i cili me fanellën e Bylisit arriti të shënonte 4 gola në 21 ndeshje. Bytyçi njihet si një portier që ekzekuton penallti pasi në të shkuarën ka shënuar edhe 1 gol me Mamurrasin, 1 me Butrintin dhe 4 të tjerë me Kamzën. /Erjon Allaraj-VipSport.al/