Gjithçka sipas parashikimit për Emiljano Vilën: Pikë aq sa prisnim, uroj të më kalojë Lorenco

Teuta e këtij edicioni vazhdon të ketë në epiqendër të projektit të saj lojtarë me shumë eksperiencë që të ndihmojnë të rinjtë e talentuar dhe Emiljano Vila është padyshim një prej tyre. Në Superiore ka  pak lojtarë si ai, pasi ka luajtur 27 ndeshje me kombëtaren, pa llogaritur këtu eksperienca të rëndësishme me klubet kryesore në Superiore dhe në kampionate të huaja, ndaj ai është pjesë thelbësore e planeve të kësaj Teute që ka ambicie të mëdha në këtë sezon.

Durrsakët e kanë nisur me vrull kampionatin duke qenë në treshen e kreut të renditjes, ndërsa shpresojnë që të vazhdojnë serinë që në takimin e radhës, ndaj Vllaznisë. “Jemi përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje, pauza na ka bërë mirë për të rikuperuar gjërat që ekipi ka nevojë dhe për të përgatitur ndeshjen me detaje. Besoj se jemi në rrugën e duhur, kemi zhvilluar tre ndeshjet  e para dhe besoj kemi marrë pikët që kemi menduar dhe shpresoj që të vazhdojmë edhe në ndeshjet e radhës duke bërë mirë”, tha Vila për RTSH.

“Fillimi është shumë, shumë, shumë i rëndësishëm, është edhe fundi po është herët për të folur për të, janë luajtur vetëm 3 ndeshje. Ne të gjithë i marrim ndeshjet me radhë, kryesore për ne është ndeshja e radhës, çdo ndeshje duhet të rritemi. Kemi gjëra për të përmirësuar, por do ta bëjmë edhe me shumë ndeshje pas ndeshje. Ne do të luajmë ndeshjen tonë, Vllaznia është ekip për t’u respektuar, por nëse do të japim maksimumin do të arrijmë rezultatin pozitiv në këtë duel”, deklaroi ai.

Në fund, nuk mund të mungonte një koment edhe për kushëririn e tij, Lorenco, i cili gjithashtu është bërë pjesë e ekipit të parë të Teutës. “Më bëhet shumë qejfi që ia ka arritur, kam luajtur jashtë dhe e kam ndjekur ecurinë e tij. Besoj se është në hapat e duhur, ka kohë, do përmirësohet më shumë e pse jo, te ecë edhe më shumë se kam arritur unë”, tha Vila. /vipsport.al/