Gjasula premton ndryshime në kaskë: Nëse tifozët kanë dëshirë mund të bëjë edhe shqiponjën

Klaus Gjasula ka rezultuar një gjetje e vërtetë në mesfushë për këto dy ndeshje. Me Francën nuk ishte në fushë nga minuta e parë, por për aq sa u aktivizua tregoi personalitet dhe grinte, pavarësisht momentit të vështirë që po kalonte skuadra në fushë. Megjithatë, kjo pjesë nuk kishte kaluar pa marrë vëmendjen e trajnerit Edi Reja, teksa italiani në sfidën e djeshme ndaj Islandës vendosi ta hidhte në fushë nga minuta e parë.

Paraqitja e tij nuk zhgënjeu, duke rezultuar si një nga lojtarët më të mirë për kuqezinjtë. Kështu, pas ndeshjes vëmendja për Gjasulën ishte e madhe, ndërsa nuk munguan edhe pyetjet për kaskën e tij mbrojtëse, e cila ka rënë në sy gjatë këtyre ndeshjeve. Mesfushori tregoi se në të kaluarën ka thyer një kockë në kokë, ndërsa kur e ka hequr, është dëmtuar sërish te i njëjti vend nga një portier.

Kështu, ka vendosur ta mbajë gjithnjë. Ndërkohë, Gjasula shtoi se nëse tifozët kanë dëshirë, pse jo mund të bëjë edhe një shqiponjë për ta bërë edhe më të bukur. Kjo, tashmë mbetet për t’u parë në ndeshjet e radhës të Kombëtares në muajin tetor. /Egi Çabeli-VipSport.al/