Gafa e himnit, Federata Franceze na kërkon falje me shkresë zyrtare dhe ndryshon protokollin e ndeshjeve

Ndjesa publike e presidentit të Federatës Franceze, trajnerit Deshamp apo edhe presidentit francez Emanuel Makron, duket se nuk ka mjaftuar për të shlyer gabimin që ndodhi në ndeshjen mes Francës dhe Shqipërisë të shtunën. Federata Franceze e ka parë të arsyeshme që të dërgojë dje një shkresë zyrtare në FSHF, duke kërkuar ndjesë edhe një herë për atë që ka ndodhur, si me himnin, ashtu edhe me spikerin e stadiumit që ngatërroi vendin tonë me Armeninë.

Një situatë e papranueshme për vetë presidentin e Federatës Franceze, Noel Le Graet, i cili në televizion publik në vendlindje deklaroi se pavarësisht “një gabimi në 1000 ndeshje të organizuara në 8 vite”, duhej evituar me çdo kusht një turpërim i tillë pasi ngjarja kishte bërë xhiron e botës, aq më tepër ndaj një shteti me të cilin kishte “marrëdhënie shumë miqësore”.

Për këtë arsye, janë marrë masat që të mos ketë më probleme të ngjashme edhe në sfida të tjera të përfaqësuesve në Paris apo në qytete të tjera në Francë, duke ndryshuar edhe protokollin e sfidave.

Para se të hapen dyert e stadiumit për ndeshjen me Andorrën, përfaqësues të kësaj të fundit do të verifikojnë dhe dëgjojnë brenda impiantit ku luhet sfida nëse himni është ai i duhuri, situatë që do të përsëritet tani para çdo ndeshje me çdo ekip. Njëkohësisht, spikerëve të stadiumit nuk do t’u jepet liri e plotë, si deri tani, por do t’u bëhen gati tekste për çdo eventualitet, në mënyrë që të mos ketë më ngatërresa shtetesh, si ajo që ndodhi të shtunën. /vipsport.al/