FSHF vendos diktaturën në futbollin shqiptar, censurë futbollistëve për komentet ndaj saj

“Federata Shqiptare e Futbollit është federata më e mirë në botë”, ndoshta kjo fjali mund të ngjajë disi e çuditshme por është ndër deklaratat e vetme që futbollistët mund të thonë në media dhe të mos gjobiten. FSHF ka nisur të vërë një diktaturë në futbollin shqiptar dhe i ndalon futbollistët që të flasin kundër, apo edhe ta kritikojnë në rastet kur një aksion apo penallti e padhënë, i kushtëzon një ekipi fitoren.

Kështu ka ndodhur me mbrojtësin e Kukësit, Olsi Teqja i cili është dënuar nga FSHF me dy ndeshje pezullim dhe nuk do të luajë në transfertën ndaj Bylisit dhe ën ndeshjen ndaj Tiranës. Mbrojtësi i verilindorëve, ishte i ftuar pak ditë më parë në emisionin “Rubrika Sportive”, aty ku foli në lidhje me ndeshjen mes Kukësit dhe Laçit si edhe për vendimet e gjyqtarit, madje duke thënë: “Ka pasur ndryshim gjyqtari dhe nuk është normale se është vetëm fillimi i kampionatit e nuk duhet të merremi fare”.

Kjo ka qenë e mjaftueshme për FSHF-në që të dënojë futbollistin duke ndalur edhe të drejtën themelore të njeriut, atë të fjalës. Tashmë futbollistët e dinë mirë se FSHF po i vëzhgon, dhe në rast se kanë pakënaqësi, nuk duhet ta shprehin e të bëjnë një vesh shurdh e një sy qorr për të qenë në rregull me FSHF-në.

Deklarata e Teqjes në lidhje me FSHF-në:

“Na bëri përshtypje se arbitri ishte Andi Koçi e u ndërrua. Gjyqtari tha se nuk kishte as kufje, nuk kishte bashkëbisedim i anësorit me kryesorin, sa për lojën, ishte korrekte. Ka pasur ndryshim gjyqtari dhe nuk është normale se është vetëm fillimi i kampionatit e nuk duhet të merremi fare”, tha Teqja.

Deklarta e plotë e Teqjes:

“Duke pasur parasysh që çdo ndeshje e kemi jashtë fushe, dhe orari në orën 4 ishte i vështirë. E dominuam ndeshjen, ishim superiorë, e dinim që do të mbroheshim, donim trepikëshin. Meqë nuk e arritëm, rezultati i dytë më i mirë është ai i barazimit.

Sipas meje favorite janë Partizani, jemi ne të Kukësit, mirë ka bërë edhe Tirana, si në letër e fushë duket se ka rritur nivelin. Është mirë të ketë rivalitet, pastaj vjen Teuta që është ekip që do të rivalizojë të paktën për kupat e Europës, pastaj oreksi vjen duke ngrënë. E rëndësishme është të ketë sa më shumë, unë mendoj se do të ketë katër skuadra. Tirana sa më shumë rezultate merr, aq më shumë eufori merr, kur gabon janë problematikat. Ata kanë shumë presion dhe me sa shoh, kanë konkurrencë brenda grupit. Nëse janë të aftë për t’i menaxhuar, do të ecin shumë lart, cilësinë e kanë si në letër dhe në fushë, është ana psikologjike dhe situata brenda grupit se kampionati ka edhe 33 javë.

Ne kemi dëshmuar që kemi bërë ndeshje shumë të mira, stadiumi i Kamzës është lënë pak pas dore dhe nuk u pranua të luhej atje. Duhet fushë cilësore, por është mirë të luajmë në ambiente me tifozë se po të shihej Vllaznia-Tirana ishin 10 mijë vete e sot ishin 100 vete gjithsej.

Duhej të shënonim në minutat e para, kishim një rast penalltie që mund të ndryshonte plotësisht rrjedha e takimit. Laçi nuk është surprizë, e ka dëshmuar që është faktor i Superiores.

Na bëri përshtypje se arbitri ishte Andi Koçi e u ndërrua.  Gjyqtari tha se nuk kishte as kufje, nuk kishte bashkëbisedim i anësorit me kryesorin, sa për lojën, ishte korrekte. Ka pasur ndryshim gjyqtari dhe nuk është normale se është vetëm fillimi i kampionatit e nuk duhet të merremi fare.

Obanor? Ne ishim të gjithë skeptikë në fillim sepse lojtarët që kanë qenë më parë si Shameti e Cuculi kanë bërë mirë, sidomos Shameti. Por vjen momenti kur koha mbaron dhe cikli mbaron e duhet të shohim para. E kam thënë që ishin të rëndësishëm për Kukësin, por me ardhjen e Obanor, është me të vërtetë cilësor, fjalëpak e i fortë. Shpresoj të kuptohemi sa më mirë gjatë kampionatit.

Për mendimin tim më i mirë është i vitit të kaluar, më pëlqente më shumë kishin qetësi e harmoni. Kanë ndryshuar shumë në staf dhe lojtarë, më pëlqente më shumë Partizani i ekipit kampion”, tha Teqja.  /VipSport.al/