FOTO – MOVIOLA / Ja penalltia e Partizanit që nuk u dha nga gjyqtari Hamiti

Ndeshja mes Laçit dhe Partizanit, e përfunduar me një fitore minimale të kurbinasve, mund të kishte pasur një rrjedhë tjetër nëse gjyqtari Eldorian Hamiti do të kishte qenë më i vëmendshëm në një episod pak çaste pasi Lushkja realizoi avantazhin për vendasit.

Në minutën e 64-t të ndeshjes, Bardhi iu shmang mbulimit të mbrojtjes duke marrë një top të gjatë nga prapavija e të kuqve. Lojtari u përpoq të ndalonte sferën dhe të kontrollonte në hyrje të zonës, ndërsa në atë moment, Domgjoni kërcen mbi të duke pasur kontakt të parregullt me sulmuesin e Partizanit me sferën që përfundon te Troshupa.

Normalisht, kjo duhej të ishte një penallti për të kuqtë, por as kryesori dhe as asistenti i tij nuk e sinjalizuan si të tillë. Fotot tregojnë qartësisht se ndërhyrja e Domgjonit nuk është kurrsesi për top dhe bën faull ndaj sulmuesit të Partizanit, i cili gjendej me këmbët brenda zonës së rreptësisë e kështu, ky episod mund të sanksionohej me penallti në favor të të kuqve. Ngjarje që padyshim do i jepte një tjetër rrjedhë ndeshjes. /vipsport.al/