FOTO/ Lot nga bashkëshortja dhe ‘tallje’ nga Basha, goli i parë i Hysajt sjell shumë reagime

Mbrëmja e djeshme ishte mjaft e veçantë për mbrojtësin shkodran Elseid Hysaj i cili arriti të gjente golin e tij të parë me fanellën kuqezi, si edhe mbante në krah shiritin e kapitenit. Goli i mbrojtësit të Napolit, i dha kuqezinjve avantazhin e përkohshëm para se Islanda të barazonte në 2-2, por që në fund fituan kuqezinjtë 4-2.

Natyrisht, goli i parë me Kombëtaren është i veçantë dhe për më tepër, vetëm pak ditë pasi kishte marrë kritika për paraqitjen ndaj Francës. Ai nuk ka ngurruar të postojë edhe në “Instagram”, duke treguar edhe emocionet që i ka sjellë goli. “Jam shumë i lumtur për golin e parë për këtë komb, shpresoj të mos ndalem me kaq”, shkruan Hysaj.

Sakaq, në momentin që Hysaj ka shënuar gol, bashkëshortja e tij që ndodhej në tribunën “VIP” nuk ka mundur të mbajë lotët dhe duket qartë gëzimi që ka sjellë goli i shënuar nga shkodrani. Ndërkohë, i veçantë ka qenë edhe komenti i Migjen Bashës, mesfushori që vendosi të largohej vetëm pak ditë më parë nga Kombëtarja kuqezi. “Wuehhh u bo puna me bo gol edhe ti. BRAVO”, shkruan Basha në profilin e Hysajt. /Erjon Allaraj-VipSport.al/