FOTO / Çudirat e VAR në Greqi. Pas sufllaqeve, vjen edhe “Mos hiqni spinën”

Kampionati grek i futbollit ka filluar përdorimin e sistemit VAR në këtë edicion, me rezultate të cilat në fakt po bëjnë bujë më shumë për ngjarje që nuk kanë lidhje me atë që ndodh në fushën e lojës.

Një javë më parë, në “debutimin” e VAR, bëri shumë përshtypje pamja ku gjyqtarët brenda sallës së kontrollit kishin porositur sufllaqe dhe pamjet televizive treguan momentin kur ato po ia dorëzonte një korrier. Sot, në Greqi para ndeshjes mes AEL Larisa dhe Olimpiakos, bënë shumë bujë disa pamje të tjera.

Në një korridor të stadiumit, ishte vendosur një spinë ku shkruhej “Kujdes VAR”, për t’i kujtuar punonjësve të stadiumit apo personave që qarkullonin në ambientet e brendshme, që të mos e hiqnin atë, pasi përndryshe do të fiknin ekranet që kishte në dhomën e monitorimit. Gjithçka e shkruar me dorë dhe e ngjitur në mur, duke treguar se në Greqi nuk kishin qenë edhe aq të përgatitur për këtë risi. /vipsport.al/