Flamurtari zhvillon një tjetër minifazë përgatitore, vlonjatët programojnë testin me kundërshtarin e Superiores

Flamurtari ka programuar miqësore në fundjavë pasi është stërvitur me ngarkesa të plota. Skuadra vlonjate e drejtuar nga trajneri Dritan Sadedini është stërvitur me intensitet dhe e ka shfrytëzuar këtë periudhë ndërprerje edhe si një mini-fazë speciale.

Vlonjatët kanë bërë shumë afrime në ditët e fundit para se të mbyllej merkato, ndaj edhe skuadra në 3 javët e para nuk është paraqitur mirë, duke koleksionuar 3 humbje dhe ka 0 pikë.

Por, në Vlorë besojnë të kthesa. Madje janë të bindur se kur të ristartojë gara, skuadra do të jetë më solide.

Të shtunën vlonjatët do të luajnë miqësore me një kundërshtar të Superiores dhe nga sa kanë planifikuar kanë menduar që të masin forcat me  Bylisin në Ballsh. Një test mjaft i vlefshëm për të dy trajnerët, si për Sadedinin ashtu edhe për Dovedanin e ballshiotëve.

E.S./Vipsport.al/