FIFA gjen zgjidhjen pas tragjedisë së Sala, caktohet shifra e transferimit

FIFA është detyruar të ndërhyjë dhe t’i japë zgjidhje më në fund çështjes së transferimit të Emiliano Sala, sulmuesit argjentinas i cili u nda nga jeta në natën e 21 janarit ndërsa po udhëtonte me avion mbi kanalin e La Mansh.

Futbollisti po kthehej te klubi i Kardif tek i cili ishte prezantuar pak ditë më parë, por nuk kishte luajtur asnjë minutë, pas transferimit nga Nanta, kur avioni i tij u rrëzua dhe ai humbi jetën në thellësitë e ngushticës. Klubi i Nantës pretendonte që të bëhej pagesa e plotë prej 17 milionë euro në arkat e tij, edhe pse Sala praktikisht kishte qëndruar pak orë te uellsianët, ndërsa këta të fundit refuzonin të bënin pagesën pasi nuk kishin pasur asnjëherë shërbimet e futbollistit të ndjerë.

Si rrjedhojë, zgjidhjen e ka dhënë FIFA e cila nëpërmjet komisioneve të saj ka urdhëruar klubin e Kardif të paguajë 6 milionë euro në arkat e Nantës për këtë transferim. Të dy klubet kanë 10 ditë kohë për të ankimuar vendimin, i cili mund të përfundojë në dyert e KAS të Lozanës. /vipsport.al/